Nuk është e mundur që një person të diskutojë për civilizimin tonë të pavdekshëm e mbresëlënës dhe mos ta vërejë veçantinë e këtij civilizimi, i cili është mjaft i dalluar në mesin e civilizimeve tjera. Kjo veçanti, në fakt, është dashuria apo dashamirësia për njeriun. Civilizimi ynë duke e çliruar njerëzimin nga urrejtja, keqdashja e përleshja, njëkohësisht ia ka mësuar atij edhe konceptin e dashurisë, zemërgjerësisë, bashkëveprimit dhe barazisë. Të qenët i kapur pas Ligjit islam dhe parimeve sociale të tij (Islamit) do të thotë të mos bazohesh në aspektin racor, klasor e as nacional në marrëdhënie me njerëzit. Ky parim veçanërisht duhet qenë i pranishëm në ambientet afariste, në të cilat konsistojnë pjesa dërrmuese e njerëzve.
Qëndrimi islam në lidhje me atë se të gjithë njerëzit janë të barabartë është themeluar në bazë të një ajeti kur`anor, në të cilin All-llahu i Lartësuar na thotë: “O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo e krijoi palën (shoqën) e saj, e prej atyre dyve u shtuan burrra shumë e gra!” (Kur`an, 4: 1). Së këndejmi, konkludojmë se të gjithë njerëzit i përkasin të njëjtit soj. Më tej, prej të njëjtit soj njerëzit janë ndarë në fise, klasa dhe kombe. Shembull i ngjajshëm për këtë është si vëllezër e motra të lindur nga prindër të njëjtë porse me fizionomi e mentalitet të ndryshëm. Për më tepër, variacioni i klasave dhe kombeve duhet të jetë vetëm për shkaqe identifikimi në punë të mira. Kur`ani Famëmadh thotë: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise me qëllim që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat), e All-llahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë!” (Kur`an, 49: 13).
Krahas asaj se disa njerëz ruhen nga të këqijat e të tjerët jo, një pjesë e njerëzve, gjithashtu, avancohen në segmente tjera të jetës, ndërsa të tjerët ngecin dhe izolohen. Veç kësaj, disa janë të bardhë, e disa të tjerë janë të zinj. Më tej, një njeri bëhet udhëheqës, kurse masa i nënshtrohen. E ne, të gjithë jemi të pajtimit se këto janë ligje natyrore e sociale dhe e tërë kjo paraqet një sistem të pandryshueshëm. Megjithatë, nuk do të thotë se këto pabarazi duhet të jenë shkaqe për epërsi apo përçarje. Pra, i begatshmi nuk është superior ndaj të varfërit sikurqë udhëheqësi nuk është superior ndaj masës si dhe as i bardhi ndaj të ziut. Në horizontalen e njerëzve, të gjithë ata janë të njëjtë. E superioriteti qëndron në “shtëpinë” e devotshmërisë. All-llahu në Librin e Vet thotë: “... nuk ka mëdyshje se tek All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat)!...” (Kur`an, 49: 13).
Të gjithë, do të thotë, janë të barabartë para Ligjit, kurse ai është superior kundrejt të gjithëve. Krahas asaj se shkallëzimi bëhet në devotshmëri, ai bëhet edhe në dituri. All-llahu i Madhërishëm thotë: “...A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë? Po vetëm të zotët e mendjes marrin mësim!” (Kur`an, 39: 9).
Në trajtë kolektive të gjithë njerëzit janë pro rregullshmërisë. Ai që është më i fortë i ndihmon atij që është më i dobët; ai që është më i pasur i jep atij që është më i varfër... E në këtë mënyrë, e tërë shoqëria është ndihmuese. Një hadith i Muhammedit alejhi selam thotë: “Shembulli i muslimanëve është si shembulli i organizmit. Nëse njëri prej organeve të tij (organizmit) vuan nga ndonjë sëmundje, të gjitha organet tjera vuajnë nga ethet e pagjumësia!” (Transmeton Muslimi dhe Ahmedi).
Në këtë mënyrë, pra, Islami vazhdimisht proklamon se njerëzimi është bashkësi e pandarë dhe tërë elementet e saj (bashkësisë) janë pasardhës të dy prindërve të përbashkët. Shembull tjetër për ta shpjeguar unitetin njerëzor është shembulli i pemës. Pra, në rastin kur fryen era, të gjitha degët e asaj peme ulen e ngriten dhe prapë secila (degë) rikthehet në vendin e vet. Kjo implikon se kur Kur`ani Famëlartë na drejtohet “O ju njerëz!”, ose “O bijtë e Ademit”, jep shenjë të konceptit të unitetit të njerëzimit. Ngjajshëm, pra, edhe ithtarëve të Islamit u bëhen thirrje si: “O ju që besuat!”, ose “O ju besimtarë!”, ndërkaq të gjithë jemi dëshimtarë se Kur`ani Famëlartë nuk ka bërë dallime të tjera si p.sh. të kishte thënë: “O ju të bardhë!”, ose të ishte: “O ju të klasës së lartë!” e kështu me radhë.
Univerzaliteti i barazisë islame
Në rastin kur merren në konsideratë ligjet e civilizimit tonë, çdo segment në lidhje me to (ligjet) përshkohet në unazën e barazisë njerëzore. Në namaz, të gjithë besimtarët qëndrojnë para të Lartmadhërishmit në një vijë të njëjtë, e nuk bëhen dallime të atilla që prijësi, funksionari politik e madje as dijetari të ketë vend të caktuar. Përjashtim është dispozita jurisprudente ku thuhet se ata që dinë të lexojnë Kur`an, duhet të qëndrojnë pas imamit, do të thotë në rreshtin e parë, me qëllim që të ketë zëvendësues nëse imamit i ndodh ndonjë gjë pas së cilës ai nuk mundet ta vazhdojë namazin. Në agjërim, të gjithë agjëruesit nënshtrohen para rregullave të njësojta për të agjëruar dhe askush nuk privilegjohet që të ketë lehtësime me ndonjë lloj ushqimi apo pije. Në haxh, të gjithë, gjithashtu, vishen me pëlhurë të njëjtë edhe për nga forma, edhe për nga ngjyra. Pra, nuk ka epërsi klasore, racore, vendore e madje as kohore, e cila ka të bëjë me faktin se edhe ata që kanë jetuar shumë para nesh (në kohën e Muhammedit alejhi selam sh.p.), e edhe ata që do të vijnë pas nesh do t’i kenë rregullat e njëjta. Më tej, nëse thellohemi në të drejtën civile, do të gjejmë se të gjithë trajtohen njëjtë në bazë të së vërtetës dhe drejtësisë. Ligji islam e valëvit flamurin e vet me qëllim që t’u bëjë thirrje atyre që u është bërë padrejtësi dhe u bën me dije se ai është i gatshëm që t’i strehojë ata nën hijen e tij. Veç kësaj, nëse qasemi edhe në të drejtën penale, para nesh na hudhet letra në të cilën është e shënuar se të gjithë njerëzit janë njësoj të përgjegjshëm ndaj ndëshkimit në rast se kryejnë vepra të pahijshme e dëmtuese. Pra, vrasësi vritet; vjedhësit i prehet dora; dhunuesi qortohet në atë formë që është e paraparë e kështu me radhë. Ndëshkimi ndaj çrregulluesve është i njëjtë, qoftë nëse ai është njeri i ditur, qoftë nëse është i paditur e i marrë.
Shpirtmadhësia e Islamit
Ligji islam është parim shumë shpirtmadh. Së këndejmi, gjatë aplikimit të tij nuk merret parasysh feja, raca e as ngjyra e të pandehurit. Thjesht, Ligji islam ka qëndrim të njësojtë para gjithë pjesëtarëve të shoqërisë përkatëse. Për më tepër, ky ligj u siguron të drejta të gjithë të posalindurve dhe, në bazë të nivelit të besimit, diturisë dhe mënyrës së të jetuarit, ai është që i pajis pjesëtarët e shoqërisë me mjetet e nevojshme. Islami i ngre njerëzit në një nivel më të lartë se qeniet tjera (d.m.th. kafshët) dhe deklamon se vendimet i takojnë vetëm All-llahut të Lartësuar. Për më tepër rreth kësaj, All-llahu i Lartësuar jep vendime në varësi me veprat që i bën njeriu, e nuk i merr në konsideratë çështjet tjera si p.sh.: fizionominë apo pasurinë. Njëmend, Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Me të vërtetë All-llahu i Madhërishëm nuk shikon në fytyrat e as në pasurinë tuaj, por shikon në zemrën tuaj!” (Transmeton Muslimi). Më tej, shpërblimi apo ndëshkimi bëhet në bazë të asaj që e ke pasur për qëllim. Argument për këtë është hadithi i Pejgamberit alejhi selam, i cili unanimisht është pranuar nga të gjithë si i vërtetë. Në të thuhet: “Të gjitha veprat vlerësohen sipas qëllimit dhe çdokush do të jetë me atë që e ka synuar!”.
Veç kësaj, Islami ka paraparë që synimet të jenë në atë rrugë që i Lartmadhërishmi të jetë i pajtuar dhe në çdo gjë që e bën njeriu, qëllimi final të jetë arritja e kënaqësisë së Tij, e jo përfitimi material. Kur`ani Famëmadh na këshillon: “O ju që besuat, falne namazin me ruku e sexhde dhe vetëm Zotin tuaj adhurojeni! Bëni punë të mira (të dobishme), se do të gjeni shpëtim!” (Kur`an, 22: 77). Për shkak të asaj se besimtarit duhet t’i mjaftojë kënaqësia e Krijuesit, nuk është e udhës që të kërkohen beneficione nga krijesat. Konkretisht për këtë, All-llahu i Lartësuar në Librin e Vet thotë: “Ata janë që për hir të All-llahut u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe të zënëve robër. Ne po ju ushqejmë juve vetëm për hir të të Madhërishmit dhe prej jush nuk kërkojmë ndonjë shpërblim e as falënderim!” (Kur`an, 76: 8-9).
Në këtë mënyrë, pra, ai (Legjislacioni islam) kërkon që çdo musliman të dijë se ai është pjesë e këtij univerzi, i cili është krijim i Krijuesit, të Mëshirshmit, Mëshira e të Cilit përfshin gjithkënd dhe gjithçka. Prandaj, çdo musliman që është duke jetuar në këtë univerz duhet t’i manifestojë Atributet e Tij të Mëshirës, edhe atë, derisa të marrë frymë.
A mos ishin këto vetëm proklamime të thjeshta?
Këto, pra, ishin manifestimet e filantropisë së civilizimit tonë dhe të njëjtat kanë të bëjnë me të gjitha sferat e jetës së njeriut. Tani parashtrojmë pyetje: Vallë a u punua në bazë të këtyre ligjeve kur erdhën në fuqi apo mbetën vetëm në letër siç mbeti Karta e të Drejtave të Njeriut, përvjetori i së cilës festohet çdo vit me shfaqje madhështore, porse fuqitë e mëdha botërore e nëpërkëmbin atë sikur të ishte gjeth i thjeshtë; apo ndoshta sikur ligjet e Revolucionit Francez, të cilat ishin të kufizuara vetëm për territorin e Francës dhe kolonitë e saj; a mos ndoshta ka ndonjë statujë tjetër në botë sikur që është ajo në Nju Jork? Për më tepër, a mos është si politikat dhe aktivitetet amerikane, të cilat praktikisht janë duke e shkelur lirinë dhe se ajo bashkë me dashamirët e paqes është duke pësuar shtypje dhe shtrydhje fatale? I përgjigjemi me JO! Civilizimi islam e zbatoi atë që e deklaroi. Për ta verifikuar këtë, jemi të detyruar ta pyesim historinë, ngase vetëm ajo na jep informata të drejta dhe precize. Thënë përfundimisht, ne jemi ata që duhet t’i vërejmë aspektet e ndritshme të filantropisë së civilizimit tonë dhe të dalim përballë faktit se edhe qëndrimet e edhe veprat e njerëzve autoritarë, edhe të njerëzve të rëndomtë janë vërtetësisht zbatuese të këtyre parimeve, gjegjësisht janë dashamirë të qenies më të dashur të Zotit – njeriut.
përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI 28.01.2008
burimi: http://english.islamway.com/bindex.php?section=article&id=175
Monday, February 11, 2008
Filantropia në civilizimin islam
Monday, January 21, 2008
THIRRJE E VOCKËL
Na erdh urdhri të jemi të sjellshëm. U urdhëruam që edhe të punojmë sipas modeleve që i zbriti Ai. Na u bë e ditur se vërteta dallon nga e pavërteta dhe se distanca mes tyre është tejet e gjatë. Disa njerëz nuk qenë të aftë ta perceptojnë këtë dhe përgjithmonë mbetën të përvuajtur! Mjerimi i tyre shkon vetëm në rritje dhe është tepër i dendur, saqë ndokujt as lukset privilegjoze nuk po i ndikojnë në shuarjen e anktheve shpirtërore. Vrapohet pas lëngjeve “qetësuese”, të cilave, në fakt, duhet shtuar përpara shkronjën “sh”. Të tjerët mjegullohen me “shkopinjtë e butë” në brendësinë e të cilëve gjendet një substancë që madje edhe për nga ngjyra është e pahijshme. Më “përparimtarë” në vazhdën e kësaj rruge janë përdoruesit e “miellrave” që për çdo ditë vetëm po përpunojnë verzione të reja. Vaj halli për ta! I Madhërueshmi nga dashuria që ka për neve, na tha: “...mos e mbytni veten tuaj!...” (Kur’an, 4: 29).
Tabori tjetër, i cili poashtu nuk ia do të mirën vetes, përbëhet nga ata që trupin e mirëmbajnë, madje harxhojnë kohë të tepërt për t’u dukur sa më bukur. Këta qahen e çirren nëse u mungojnë elementet ditore që ata i shohin si bazë të jetës. Në strajcë, pra, duhet të kenë: preparatin më të shtrenjtë për flokë, celularin më të ri të trendit botëror, njëqind-denarëshin për ta kaluar pjesën më të madhe të ditës nëpër internet-kafe të ndryshme duke muhabetuar me lloj-lloj njerëz të kalibrave të ndryshme të kontinentit tonë e fqiut – Amerikës si dhe pesëqind-denarëshin për të ngrënë diç speciale në lokalet e VIP-ave. Veten e konsiderojnë princër dhe sillen sikur t’i kishin çelësat e dunjasë në xhepat e tyre. Duken gazmorë dhe dhëmbët e tyre janë shumë të njohura në mesin e njerëzve. Mezi presin që të bashkëtakohen diku me njerëzit e zemrës së tyre me qëllim që ta përgojojnë njërin e të thurrin ndonjë shpifje për tjetrin. E dimë hadtihin që na ka lënë i Dashuri ynë, ku na porosit ta shfrytëzojmë, rininë, kohën e lirë, shëndetin, pasurinë si dhe jetën para se të na zgurdullohen sytë, e këta le të vazhdojnë me rrugëtimin e vet...!
Do t’i përmendim edhe pjesën më të zgjedhur të shoqërisë, pra, eprorët tanë. Le t’u buzëqeshë fytyra se dikush po i përmend në letrat e veta të pafuqishme dhe le të mos brengosen se emri do t’u përmendet deri sa të jenë në atë ulëse ku gjenden tani! O ju të dashur dhe shumë të rrespektuar! Kujtojeni hadithin e udhërrëfyesit tonë në të cilin thoshte se të qeverisësh gjashtëdhjetë minuta me drejtësi është diku e barabartë me gjashtëdhjetë vjet namaz nafile! Pse nuk po e kujtoni, ose mësojeni nëse nuk e dini se udhëheqësi i drejtë është shumë i dashur te All-llahu, madje çdo udhëheqës i drejtë do të ketë hije në atë Ditë kur nxehtësia Diellit përcëllues do t’i kaplojë të gjithë dhe po të njëjtit do të jenë të zhytur në djersë, e ju, o të nderuar, e keni shansin t’i shpëtoni asaj vështirësie. Qeverisni me drejtësi dhe mos i mbushni xhepat tuaj, se mjaft i keni të mbushur, por shikoni e mbusheni ndonjë stomak që nuk ka ngrënë me orë të shumta e ndoshta edhe me ditë! I njohuri dhe shumë i rrespektuari i trevave tona shqiptare – Jakup ef. Asipi (All-llahu e kënaqtë në Xhennet!) thoshte: “O politikanë! Mos bëni politikë me neve, po për neve!”. All-llahu Ekber! A nuk po jua vret aspak ndërgjegjen tuaj?
Pra, a s’është koha që t’i japim fund mjerimit? Shumë njerëz kanë hapur organizata për t’i kuruar të varurit nga droga. Shumë ekspertë kanë prodhuar lloj-lloj medikamenti e kanë shënuar shumë teknika për ta larguar duhanin – dashakeqin tënd si dhe mu ata po propozojnë sportim pak më të gjatë dhe marrje me punë të tjera argëtuese me qëllim që ta zvogëlojnë pirjen e alkoolit. Në rregull, me vend e kanë! Vetëmse në tërë qytetin vera ka shkuar si lum kur Pejgamberi alejhi selam ua tha ajetin ndalues për këtë gjë! Islami ka ilaç edhe për ata që nuk u jetohet dhe këqyrin vetëm si ta shkelin kohën duke u marrë me kotësira. Ai, o i dashuri im, ka paraparë model edhe për ty. Pra, ai të ka këshilluar që të merresh me dituri, sepse në atë mënyrë do të jesh profitabil për të gjithë, po ç’është më me rëndësi se edhe vetvetja yte do të të dojë më shumë. Kur ta arrish gradën e dijetarit, edhe gjallesat tjera, krahas njerëzve, do të të duan dhe do të bëjnë dua për ty, apo ndoshta as duaja nuk të intereson? Përfundimisht, pra, ty, mua dhe të gjithë të tjerët një ditë do të na fusin me një gropë. A keni parë se si njerëzit thejnë këmbë e duar për ta gjetur ndonjë lexues sa më të mirë të Librit të All-llahut dhe pastaj sevapet e leximit t’ia bëjnë peshqesh atij të vdekurit. Nuk jam kundër e as për të kundërshtuar! Tendenca është ta vë në dukje se me vdekjen e njeriut, i përfundohen të gjitha punët në përjashtim të disa punëve të pakta, e ndër to është që saherë që ta shfrytëzojë ndokush ndonjë shkronjë që ti e ke shkruar, All-llahu do të gëzohet me ty dhe do të ta regjistrojë një të mirë në konton tënde të Regjistrit të Vet.
Për në fund, ju që i miratoni ligjet që unë i rrespektoj... Vishuni bukur e zbukurohuni sepse ajo nuk është gjë e keqe, po madje është edhe porosi nga All-llahu i Lartësuar dhe nga i Dërguari i Tij! Mos u brengosni për të holla se nuk mbeteni pa to! Secili njeri e ka rriskun e caktuar nga Furnizuesi. Mbani drejtësi mes njerëzve se për atë jeni zgjedhur nga ata! Mbushjani mendjen njerëzve, e jo vetes, se jeni transparentë! Kini dro All-llahun pak më tepër se njerëzit tjerë, ngase në supe keni një barrë që për njerëzit tjerë ajo është e pashijuar, që do të thotë se për juve konsiderohet edhe si privilegj! Udha për të qenë i devotshëm, megjithëse është pak e zortë, por është e mundur, edhe atë për secilin njeri. Ibrahim ibën Et-hemi (All-llahu e mëshiroftë!) na tregoi ato gjashtë dyert dhe na vizatoi skicën se çfarë duhet bërë e çfarë nuk duhet bërë për të qenë i devotshëm. Kam në mendje se edhe për vlerat tjera, dijetarët tjerë (All-llahu ua dhashtë Xhennetin!) kanë dhënë skica e rrugë se si të arrihet deri tek to. Drejtësia dhe ndershmëria që ju duhet ta zbatoni janë gjëra të qarta! Nuk ju duhet të mbani kurse mujore e vjetore për të marrë vesh se si po dashka të jesh i drejtë e i ndershëm. Ajo që do të rezultojë në vijim pas ndershmërisë suaj, patjetër se do të jetë dobiprurëse për të gjithë ne. Zemrat tona do të jenë më të kënaqura, ndërsa ju gjumin do ta bëni më të rehatshëm, fytyra do t'ju buzëqeshë me më shumë shkëlqim dhe i Madhërishmi do të krenohet para engjujve me mëkëmbësit e Vet drejtësi-zbatues në këtë rruzull. Pra, përgjigjuni pozitivisht thirrjes dhe shfrytëzojeni rastin që të jeni për dy shkallë më lart se masa!
Dhshtë Zoti që muslimanët të përparojnë e të jenë në majë të akademive! Me lejen e Tij do ta pushtojmë tërë shkencën, ashtu siç ka qenë ajo në një kohë në duart tona! Me lejen e Tij, gjithashtu do t'ia ndërrojmë edhe një herë e shumë herë ngjyrat botës. Këtë gjë e ndërmorrën disa burra para nesh, të cilët numëronin më pak se ne, e numri ynë ta mbush syrin pak më shumë, veçse nuk duhet të frikësohemi nga pushka e zbrazët! Një mik imi thoshte: "Prej pushkës së mbushur frikësohet vetëm njëra palë, kurse prej së zbraztës frikësohen të dy palët!". E analizova për disa çaste dhe m'u ndrit në mendje se paska dashur të thojë që njeriu kur nuk ka plumba në pushkë, ia drejton atë armikut, porse edhe vetë ai ka dridhje këmbësh, pra, duke menduar se mos po e kupton ky (armiku) se akti që po bëhet ndaj tij është kamuflim! Pra, "pushka" e muslimanit është gjithmonë e mbushur dhe, si rrjedhojë, pra, ai s'ka arsye të hezitojë! Dhashtë Zoti që të vdekurit tanë të mëshirohen, të sëmurët të shërohen, të varfërit të pasurohen, tiranët të zbuten, udhëheqëit të drejtohen dhe, në përgjithësi, të ngritet vetëdija ndër njerëz! Amin!
shkroi: Arsim JONUZI 14.01.2008
Saturday, January 12, 2008
KUR'ANI - BURIM I UDHËZIMIT DHE NDËRTUES I JETËS
Në emër të All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Falënderimi e lavdërimi i takon vetëm All-llahu Fuqiplotë – Sunduesit të gjithësisë. Paqja, bekimi, begatitë dhe të gjitha të mirat e të Pasurit qofshin mbi Muhammedin alejhi selam, mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnikë që e ndoqën atë deri në frymëmarrjen e fundit e edhe pasi vdiq dhe mbi të gjithë ata njerëz që dëshmojnë se nuk meriton të adhurohet askush tjetër përveç All-llahut, i Cili është Një!
All-llahu i Lartësuar e formësoi njeriun në formën më të mirë dhe pas saj i urdhëroi të gjitha krijesat që t’i nënshtrohen atij, pra, njeriut – veprës më madhështore të All-llahut. Shkaku i këtij (nënshtrimi) ishte se njeriu – me dijen e tij të kufizuar – diti diçka më shumë se engjujt dhe Iblisi. Ja pra, u dëshifrua ajeti kur’anor në të cilin All-llahu thotë: “...All-llahu e lë të humbur atë që e do dhe e udhëzon atë që do!...” (Kur’an, 74: 31). All-llahu, thjesht, dëshiroi që Dëshira e Vet të qëndrojë më e larta dhe kaq! Disa prej të pranishmëve të atij Tubimi u pajtuan me faktin se All-llahu e udhëzon kë të dojë dhe e lajthit e e poshtërson kë të dojë, e disa të tjerë, në fakt, ishte një pjesëtar që u rrebelua ndaj Dëshirës dhe Procesit të Gjykatësit Suprem dhe tha që unë nuk i bëj sexhde një krijese që është krijuar prej një materiali më të dobët nga imi, por harroi se të dytë dhe të gjithë të tjerët e të tjerat janë të krijuar nga një Krijues që nuk as fillim e as mbarim, e mos të flasim më se ka ndonjë materie në Të...
Sikur të gjitha krijesat, pra, të gjithë sëbashku: njerëz, kafshë e sende, të merrnin vendim që t’ia prishnin Planin All-llahut, nuk do të kishin pasur mundësi të bëjnë as një gjë më të vogël se copëza e atomit! Plani i Tij, pra, qe që të vijë një mëkëmbës i Veti në tokë. Engjujt duke e ditur se njeriu do të jetë gjakderdhës e prishës i rendit në tokë, në një farë mënyre, protestuan kur Zoti ua kumtoi lajmin e krijimit të halifit. Megjithatë, ua bëri me dije se Ai di gjithçka dhe u tha të rikujtojnë se ata nuk i dinë absolutisht të gjitha gjërat dhe fshehtësitë.
Në mesin e njerëzimit, All-llahu i selektoi më të mirët e tij (njerëzimit), në krahët e të cilëve do të jetë i vendosur Mesazhi, nga i cili Mesazh dridheshin kodrat e shkapërderdheshin gurët! Prej tyre, e përcaktoi njërin që do të jetë udhëheqës i tërë të dërguarve dhe i tërë njerëzve të botës – Muhammedin alejhi selam. Atij ia dha cilësitë më të mira që do të kishte mundur ndonjë qenie njerëzore t’i ketë. E pajisi, mbi të gjitha, me moral të lartë, me aso vlera që në atë kohë në gadishullin Arabik ishin gjëra (vlera) ende të panjohura. Sa mrekullueshëm që e ka bërë! Vërtet, Ai është më i Madhi! Si nismë, qysh para se t’i shpaloset profetësia, ishte që në mesin e njerëzve e bëri sinonim të së mirës! Më tej, është për t’u habitur se ardhja e tij i gëzoi të gjithë, madje edhe më të pacipët! Mandej, pas një periudhe të caktuar kohore, vazhdimësia e Planit të të Madhërishmit ishte që t’i vijë Xhibrili me fjalën më të artë të të gjitha kohërave: “Lexo!”. Si rrjedhojë, iu çrregullua gjendja të Dashurit tonë për disa çaste ngase vinte nga një Dërgues jo i rëndomtë dhe nga një Postier jo me kapelë me formë cilindrike e me biçikletë! Pra, ai moment njihet si fillim i shpalljes së Kur’anit Famëlartë, i cili është aq i dhimbshëm saqë nuk dëshiron që vepra më madhështore e Madhështorit të përfundojë në zjarr dhe madje dëshiron që edhe teksa janë në këtë botë kalimtare, atyre t’ua ndërtojë një jetë sa më të rehatshme.
Muhammedi alejhi selam ka thënë në një hadith se: “Po t’i kishit zemrat e pastërta, do të shihnit përtej qiejve!”. E barrierë e mospastërtisë së zemrës është, padyshim, imani ynë i ulët. Edhe në bazë të deduktivitetit – metodës së Aristotelit, e edhe në bazë induktivitetit – metodës së Bekonit, arrijmë në konkluzë se pa dituri nuk ka as besim. Rrjedhimisht, pra, me vetëdije të plotë gjykojmë se dituria jonë është e vogël, po dituria ndaj Kur’anit është ende më e vogël! Jo rastësisht, Muhammed Abduhu (All-llahu e mëshiroftë!) një herë patë thënë: “Kur’ani qenka beqar!”. Është për t’u çuditur se pas gjithë atyre herave që ky dijetar e lexoi tërë Kur’anin Famëlartë dhe pas gjithë atyre analizave që ua bëri komenteve që u shkruan nga dijetarë të shquar për t’i dëshifruar Fjalët e All-llahut, ai në një mënyrë jo të zakonshme, rrespektivisht me britmë, deklaroi se Kur’ani ende është i paprekur për nga thesari i vet i diturive që gjenden në të.
Historianët dhe analistët e botës çuditen se si Muhammedi alejhi selam – një njeri që u rrit pa mbikëqyrjen e prindërve biologjikë, arriti t’ia ndërrojë ngjyrat botës dhe pastaj në të të rrënjosë rrënjë të thella që nuk do të ketë mundësi askush t’i ç’rrënjosë deri në Ditën e Shkatërrimit, kur asgjë më nuk do të jetë e aftë të qëndrojë në këmbë... All-llahu i Lartësuar ia dha udhëzimin atij që në fenë e Tij të thirrë me butësi dhe me urtësi: “Ngrihu dhe tërhiqua vërejtjen (duke i thirrë)!” (Kur’an, 74: 2). Në fillim, ai i thirrte vetëm fshehurazi dhe individ për individ. Të parët që e pranuan ishin shumë pak veta, mirëpo transmetohet se ata nuk kanë lëvizur nga vendi derisa i kanë mësuar përmendësh 10 ajetet aktuale që i zbriste All-llahu dhe përveç kësaj, edhe kuptimin ua mësonin. Si punë të tretë në rendin e ditës e kishin edhe praktikimin e asaj dije që i vinte prej qielli. E ne e kemi në dorë, totalisht të gatuar e të komentuar dhe prapë kërkojmë “gatesa” të tjera...! Rabije Adavija (All-llahu e mëshiroftë!) në mënyrë sarkastike i përqeshte të marrët duke u thënë: “O ju të mjerë, edhe sa kohë do të trokisni në një derë që është e hapur?”.
Vallë, a ka fytyrë dikush të thojë se Kur’ani ka lënë disa punë të gjymta? E prej të prishurve ka të atillë që shprehen si vijon: “Kur’ani ka qenë “bombë” për një kohë, mirëpo në këtë shekull, shkenca dhe teknologjia janë triumfuese, kështuqë...!”. Subhanallah! Përderisa, shekuj më parë, disa “të mençur” pretendonin se Toka është pllakë dhe është e vendosur në shpinën e tre balenave të mëdha, pastaj përgatitnin broshura e mbanin ligjërata që t’u thonë njerëzve të mos bëjnë shumë rëndesa në këtë “pllakën” me qëllim që balenat mos të lodhen, sepse përndryshe na hudhin poshtë...dhe na kënaqnin me shumë e shumë fantazira të ngjajshme, në atë kohë, Vetë Krijuesi i gjithësisë me gjithë çka ka në të, në Librin e Tij tha: “Nga argumentet e Tij është që me fuqinë e Tij bëri të qëndrojë (pa shtyllë) qielli e Toka...” (Kur’an, 30: 25). E me këtë ua mbylli gojën murgërve, njëherë e përgjithmonë, që shpiknin gjëra për interesin e vet personal. Ndonëse ata ishin me dijeni se janë qenie njerëzore, që do të thotë se kanë nevoja biologjike e sociale, megjithatë qepeshin vetëm pas aspektit shpirtëror, ndërsa aspekti biologjiko-reproduktiv dhe ai material harrohej në tërësi. Kur’ani u thotë: “...Martohuni me ato gra që ju pëlqejnë; me dy, me tri e me katra! E nëse i frikoheni padrejtësisë ndaj tyre, atëherë vetëm me një!...” (Kur’an, 4: 3), ndërsa ata donin t’i “tregojnë” All-llahut se përmbahen nga epshi, kështuqë ky ajet nuk kishte vlerë për ta! Materialistët janë të vendosur në pikën tjetër ekstreme, që do të thotë se e bënin dhe e bëjnë të kundërtën nga këta “të zhyturit” në adhurim. Pra, ata synim të parë dhe të fundit e kanë vetëm përfitimin material duke harruar se një ditë do t’u shkapërderdhen kockat dhe pastaj prapë do t’u rikompletohen. E Kur’ani Famëlartë nuk e lë ithtarin e vet në lloç! Ai ia ndërton jetën atij me tullat më të forta që mund të ekzistojnë. Pra, ai porosit që besimtarët të kenë barazpeshë në të gjitha çështjet, pa mos u dhënë shumë pas njërës dhe duke mos e harruar as tjetrën. All-llahu në Librin e Tij thotë: “O ju që besuat! Mos i ndaloni të mirat që për ju i lejoi All-llahu dhe mos e teproni, se All-llahu nuk i do ata që e teprojnë (i kalojnë kufijtë e dispozitave të Zotit)!” (Kur’an, 5: 87).
A thua vallë a vetëm kaq? A vetëm të na rregullohet jeta sa të jemi në jetë? Përkundrazi, o ti njeri i nderuar që po i lexon këto shkronja! Qëllimi i jetës nuk është që të jetojmë përjetësisht, por të vdesim njëherë e pastaj amshueshmëria të vijë në rend. E si rrjedhojë, pra, Kur’ani nuk e ka vënë tërë potencialin e vet vetëm në një segment, rrespektivisht në kamje të një jete shpirtërisht të rehatshme derisa jemi në këtë jetë! Përndryshe, All-llahu thotë: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë!” (Kur’an, 51: 56). Shumë e qartë pra, qëllimi ynë primar është ta adhurojmë Atë që e meriton një gjë të tillë. E jeta e kësaj bote është ferr për neve, kështuqë përse vallë të synojmë të jemi të përjetshëm për të?! Le të jetë kjo botë për ata që tani ajo konsiderohet si parajsë në krahasim me atë se çfarë do t’i gjejë në botën e ardhshme! Përfundimisht, pra, Kur’ani na ndërton edhe të ardhmen. Le ta thojë ndokush, tani titullin e ndonjë libri që është më dashamirës ndaj lexuesit të vet se ky libër! Le të gjejë ndokush ndonjë libër, kaptina e të cilit fillon me “a,b,c”, sikurqë shumë kaptina të Kur’anit fillojnë me shkronjat arabe si: elif, lam, mim e kështu me radhë! Le të gjejë ndokush ndonjë libër që për 14 shekuj të tërë nuk ka pësuar përmirësim e as ndonjë ndryshim tjetër! Analizojeni se çfarë i kanë bërë Biblës! “Të gjorën” e lodhën me ndryshime, modifikime e me përmirësime me qëllim që të jetë sa më shumë në trend me kohën...! Me siguri se ajo është duke rënkuar, po ne s’e dëgjojmë... Tërë ditën librat e psikologjisë dhe të filozofisë së kotë le të mundohen t’i shërojnë të sëmurët me sëmundje shpirtërore, por kot e kanë! Le të ngjallen edhe 100 Sigmund Frojda të tjerë me lloj-lloj psikanaliza të reja e të sofistikuara, se askush nuk mund t’i bëjë konkurrencë Librit të All-llahut! Nëse, eventualisht, ndodh që të shërohet ndokush në duart e me teoritë e tyre, megjithëse shërimi është në Dorë të All-llahut, prapë pacienti në fjalë nuk është i shëruar, ngase ai (shërim) është thjesht dislokim prej në errësire në ndonjë tjetër, kurse Kur’ani synon që: “...t’ju nxjerrë juve prej errësirave në dritë...!” (Kur’an, 33: 43). Tani le të bëjmë një retrospektivë se cili psikanalist apo psikanalizë e ka përmendur errësirën në shumës dhe dritën në njëjës!!!
E lusim Atë që duhet lutur që të na udhëzojë në atë rrugë që Ai e ka paraparë për robin e Vet! I lutemi gjithashtu Atij që t’i koordinojë hapat tona me Koordinatat e Tij precize dhe rrjedhimisht të na hapë edhe sytë e zemrës sonë, mirëpo, prapëseprapë, çështje primare i kemi sytë e ballit, pasi, në një farë mënyre, jemi duke u bërë si ata “largpamësit” që ajo robëresha e All-llahut i porositi që të mos trokasin në derë ngase dera ishte e hapur...
shkroi: Arsim JONUZI 03.01.2008
Monday, December 10, 2007
OPCIONI I DYTË
Falënderimi i takon vetëm All-llahut Fuqiplotë. Paqja, bekimet dhe begatitë e All-llahut qofshin mbi të dërguarit e Tij, mbi pasuesit e tyre të denjë si dhe mbi të gjithë ata që me gojë dhe me zemër dëshmuan dhe dëshmojnë se s’ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Atij që vigjilon gjithçka edhe atë në mënyrë të pandërprerë!
Historia na mëson se gjatë kohërave Shpallësi ka dërguar një numër mjaft të madh pejgamberësh në mesin e shoqërive të ndryshme. Disa i ka treguar në Kur’an e disa jo. Disa i ka dërguar në një kohë, e dallimi i disave në aspektin kohor ka qenë me qindra e ndoshta edhe me mijëra vite. Krahas këtij dallimi kohor, ata, të gjithë thonin: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje kërkojmë ndihmë!” (Kur’an: 1: 5).
Në bazë të ndikimit, sprovave të rënda etj., që kanë pasur mëkëmbësit e All-llahut në tokë, disa prej tyre janë konsideruar si të zgjedhur. Një prej të zgjedhurve konsiderohet edhe Ibrahimi alejhi selam, i cili njëherit njihet edhe si miku i All-llahut dhe babai i të gjithë pejgamberëve. Ky, qysh në fëmijërinë e tij të hershme shquhej për pjekuri të thellë. Kishte aso bindje ndaj All-llahut saqë pranoi ta braktisë shtratin e vet për hirë të Tij. Pra, pranoi opcionin e dytë të ofruar nga i ati i tij, domethënë për ta lëshuar shtëpinë, kurse opcionin e parë – për t’i bërë All-llahut shok – e refuzoi me tërë shpirtin e tij.
Ibrahimi alejhi selam një kohë të gjatë nuk pati asnjë fëmijë. I tillë ka qenë Vendimi i të Lartësuarit! Jemi dëshmitarë se sa më shumë ta kërkojmë një gjë dhe për aq sa nuk e kemi, dashuria jonë për të shkon vetëm në rritje. E njëjta, pra, ndodhi edhe me Ibrahimin alejhi selam. Mund të themi se lindja e Ismailit alejhi selam ishte gëzimi më i madh i Ibrahimit alejhi selam, pas kënaqësisë së tri ditëve kur ky pejgamber qëndroi në zjarrin e përgatitur të pafeve, meqë, pra, kur e kishin pyetur për periudhën më të lumtur të jetës së tij, e cila zgjati thuajse dy shekuj, i kishte theksuar ato tri ditë që kishte pranuar opcionin e dytë për t’u hedhur në një zjarr të ndezur për tri ditë me radhë, sepse opcioni i parë – për të hequr dorë nga adhurimi i Një Zoti të Padukshëm, i Cili nuk ishte e as nuk është prej druri – iu kishte dukur si jo shumë i mirë...
I erdhi lajmërimi mikut të All-llahut se ai pas gjithë këtyre viteve durim dhe dëshirë për të pasur fëmijë, më në fund, do ta ketë atë. Natyrisht se në atë situatë çdo njeri do të emocionihej dhe do të hutohej. Emocionet ishin për shkak të lutjes së plotësuar për të pasur fëmijë, ndërsa hutimi ishte për shkak të moshës së thellë, gjë e cila mohohet rreptësisht nga medicina bashkëkohore, mirëpo...”Kur Ai dëshiron ndonjë send, urdhri i Tij është vetëm t’i thotë: “Bëhu!”, e ai menjëherë bëhet!” (Kur’an, 36: 82).
Ismaili alejhi selam – i biri i vetëm i Ibrahimit dhe Haxheres rritej e zhvillohej dhe në proporcion të moshës që kishte, All-llahu i jepte pjekuri, besim dhe durim, i cili do t’i shërbejë shumë për në të ardhmen e tij. U stolis me vetitë më të bukura, me vetitë më të vyeshme. Krahas vetive që i kishte ndaj All-llahut, ai kishte rrespekt e dhembshuri edhe ndaj prindërve...
Dëshira e të Madhit qe që ta sprovojë mikun e Vet dhe përmes një ëndërre i tha që ta bëjë kurban të birin e vetëm. All-llahu është më i Madhi! Nëse do të kishte qenë urdhër për ndonjwrin prej nesh që ta zbatonim urdhrin e All-llahut, faktikisht ta zgjedhnim opcionin që e zgjodhi Ibrahimi alejhi selam, ne cilin opcion do ta kishim zgjedhur? E Ibrahimi alejhi selam e zgjodhi atë opcion që e kënaqi All-llahun e tij, për ajo që gjithashtu vlen të ceket është se edhe Ismaili e zgjodhi po të njëjtin opcionin me numër rendor dy, domethënë për të qenë i dëgjueshëm ndaj kërkesës së babait, e nuk e zgjodhi opcionin e parë që djalli i mallkuar ia hijeshoi e deshi të depërtojë në zemrën duke i thënë se babai yt është luajtur mendsh, e kjo është si pasojë e pleqërisë së tij të thellë dhe për të mos e zgjatur më shumë – i thoshte i mallkuari – mbathja për në shtëpi sa më shpejt!
Kur Ibrahimi alejhi selam e arriti kulminacionin e nënshtrimit të tij dhe kur biri i tij e vulosi në zemrën e tij se do të jetë i dëgjueshëm ndaj të atit, e në këtë mënyrë edhe ndaj All-llahut, engjujt e kuptuan se All-llahu paska zgjedhur opcionin e dytë, që do të thotë se Ismaili alejhi selam nuk do të prehej... All-llahu Ekber! Ibrahimi alejhi selam gjithmonë e zgjedhte opcionin e dytë dhe në të ishte kënaqësia e All-llahut, kurse All-llahu tash në momentin më të vështirë po e zgjedh opcionin e dytë i cili është në të mirë të Ibrahimit, përkundër të cilit, edhe Ismaili, i cili u tregua i dhembshur ndaj babait të tij duke i thënë “Kthema kokën anësh me qëllim që mos të më shohësh kur të më dalë gjaku!”, edhe Xhibrili u tha engjujve se All-llahu zgjodhi opcionin e dytë për fatin e Ismailit alejhi selam, ngase engjujt merakoseshin dhe thonin “A do të prehet Ismaili apo jo?”. Pra, në këmbim të flijimit të të birit për kënaqësinë e All-llahut – Ibrahimit i erdhi dashi, kurse në këmbim të dhembshurisë ndaj prindit që të mos i vijë keq kur ta shohë gjakun – Ismaili fitoi dhembshurinë e engjujve kundrejt tij!
Rrjedhimisht, të gjithë muslimanët e botës e përkujtojnë këtë ndodhi të këtyre dy pejgamberëve në ditën e Kurban Bajramit, kur pas namazit therrin një kafshë për hirë të All-llahut. Në këtë ditë të madhe thuhen ato fjalë që u thanë atëbotë nga Xhibrili alejhi selam: All-llahu Ekber, All-llahu Ekber, nga Ibrahimi alejhi selam: La ilahe ila-llahu vall-llahu Ekber dhe nga Ismaili alejhi selam: All-llahu Ekber ve lil-lahil hamd.
E lusim All-llahun e Madhëruar që të na bëjë prej atyre që e zgjedhin gjithmonë opcionin e dytë nëse ai është për të mirë, prej atyre që ia dinë vlerën kësaj bote dhe botës tjetër, prej atyre që janë të arsyeshëm në qëndrimet e tyre, prej atyre që janë në rrugë të drejtë, prej atyre që ia dinë vlerën gjërave, prej atyre që punën e konsiderojnë si ushqimin, prej atyre që kanë zemra të përlotura për shkak të All-llahut, prej atyre që në zemër kanë dozë të paktën minimale të filantropisë, prej atyre që thonë si Omeri r.a.: “Ah, sikur t’isha qime në gjoksin e ebu Bekrit!!!”...
shkroi: Arsim JONUZI 09.12.2007
Saturday, December 1, 2007
TË HUAJ
(Ligjeratë e mbajtur nga Halid Jasin)
Falënderimi dhe lavdërimi i takon vetëm All-llahut – Zotit të botërave. Paqja, bekimi dhe begatitë qofshin mbi krijesën më të dashur në fytyrë të tokës – Muhammedin alejhi selam, mbi familjen e tij fisnike dhe mbi të gjithë ata të cilët e përkrahën atë deri në momentin e fundit të jetës si dhe mbi të gjithë muslimanët prej lindjes e deri në perëndim!
Pejgamberi ynë i dashur alejhi selam ka thënë: “Kjo fe u nis si e huaj dhe do të kthehet si e tillë!”, kështuqë, mirë se erdhët o ju “të huaj”! Pra, ne jemi ata që quhemi “të huaj”. Muhammedin alejhi selam e njihnin tërë qyteti. Të gjithë e dinin se ai ishte i biri i Abdullahut, të gjithë e thirrnin me nofkën el-emin (besniku) dhe po të njëjtit e dinin se ai ishte fjalëdrejtë dhe se goja e tij asjëherë nuk kishte thënë ndonjë gënjeshtër. Mirëpo, kur All-llahu i Lartësuar e urdhëroi Xhibrilin alejhi selam për t’ia transmetuar Shpalljen hyjnore, domethënë për t’u thënë njerëzve ta besojnë vetëm një Zot të Vetëm dhe për të hequr dorë nga idhujt, ata thonin se ky po thotë diçka të huaj (të pazakonshme). Në atë rast, i dashuri i All-llahut u tha: “O kurejsh, ju më njihni mua. Ju vetë e dini se nuk ju gënjej. Andaj, sikur t’ju kisha thënë se është një ushtri pas kësaj kodre e cila është duke ardhur për t’ju shkatërruar juve, a do të më kishit besuar?”, ata thanë: “Po!”. Pejgamberi alejhi selam ua ktheu: “Atëherë, unë ju them se unë jam i dërguari i All-llahut tek ju dhe ju duhet të më bindeni në atë që unë ju urdhëroj!”. Ndërkaq, përgjigja e kurejshëve ishte e njëjtë, domethënë, përsëri thonin: “Ky është duke thënë diçka të pazakontë!”. Kështu, pra, Muhammedi i biri i Abdullahut, i cili në mesin e njerëzve ishte njeri i njohur, i dashur, i besueshëm e i rrespektuar nga të gjithë njerëzit (e madje edhe nga xhaxhai i tij) e atij vendi – atë ditë u konsiderua si i huaj!
Omer ibën el-Hatabi (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) i cili donte ta mbysë Pejgamberin alejhi selam me shpatë, nga të tjerët merrte duartrokitje dhe konsiderohej patriot, e po në atë ditë kur ky deshi vërtetësisht ta mbysë të dashurin e All-llahut, për çudi, edhe ky tani po konsiderohej i huaj!!!
Është reale se nëse dikush mban mjekërr, ai do të konsiderohet ekstremist. E nëse thotë se unë punoj çdo ditë, e nëse është nevoja punoj edhe gjatë festave tuaja, e edhe gjatë periudhës së natës, mirëpo nuk punoj në kohën e namazit të xhumasë, pasi në atë kohë unë shkoj në xhami për ta adhuruar All-llahun tim, ai do të konsiderohet edhe më ekstremist! Çudi! Në vijim, vlen të ceket qëndrimi i Pejgamberit alejhi selam lidhur me këtë çështje: “O njerëz, unë nuk jam bërë ekstremist, e as që natyra ime i takon një tabori të tillë, por ky është Sunneti i të dërguarit të All-llahut, e nëse nuk ju pëlqen – nuk mërzitem edhe aq shumë!!!”.
Ne duhet të kemi dëshirë e vullnet për të qenë “të huaj”! E kur të bëhemi të tillë, atëherë kjo do të ndikojë në jetën tonë. Rezultat i kësaj do të jetë që njerëzit të keqkuptojnë. Si pasojë, ka gjasa që edhe të dyshosh në vetvete! Thua: “Përse po i humb miqtë? Pse gruaja ime më kërkon shkurorëzim? Në përgjigje të kësaj marrim përgjigjen vijuese: “…ngase ti je duke u bërë i skajshëm në qëndrimet dhe veprimet tua!”. Në një situatë tjetër, një grua shëtitet pa mbulesë, ka të vënë të kuq buzësh përderisa ec nëpër rrugë, parfumoset për ta tërhequr vëmedjen e meshkujve të tjerë, po edhe bashkëshorti i saj ka të njëjtat qëndrime dhe është i kënaqur nga veprat e gruas së vet. Kur, papritmas, një ditë ajo e vë mbulesën dhe i gjuan të gjitha rrobet e mëparshme që i ka veshur, nuk parfumoset më e as nuk vë të kuq për të bërë fitne, as nuk i flet burrave për dore, ngase e ka kuptuar se është qenie e shtrenjtë. Si rrjedhojë, burri i saj i drejtohet: “Çfarë po ndodh me ty?”, ajo i kthen përgjigje duke i thënë: “Lexova me një ajet në Kur’an dhe me një hadith të Pejgamberit alejhi selam dhe në zemër më erdhi një dritë që më thotë të mendoj më tepër për fenë time, kështuqë nuk do t’i veproj më ato vepra të mëparshme!”. Në këtë rast, burri i thotë: “Atëherë, unë nuk të dua më – qenke bërë e skajshme!”. Pra, edhe kjo motër tani u bë “e huaj”! Megjithatë, ne themi elhamdulilah! Nëse ai zotëriu nuk po e dëshirojka më këtë “të huajën”, ne i lutemi All-llahut Fuqiplotë që ta bashkojë këtë motër me një “të huaj” tjetër. Themi t’i japë një “të huaj”, ngase “të huajt” i përkasin “të huajve”.
O vëllezër muslimanë dhe motra muslimane, vlen të thuhet për së dyti se duhet të pëlqejmë të jemi “të huaj”! Ne duhet të jemi të gatshëm për ta pritur shpërblimin që do ta vijë për ne “të huajt”! Ne duhet të përfytyrojmë se çfarëdo që bëjnë jobesimtarët, në çfarëdo mënyre që ata mundohen ta shuajnë dhe ta asgjësojnë Dritën e All-llahut të Lartësuar, po qe nga televizionet, kinematë, gazetat, librat apo nga radiot e tyre; apo qoftë me anë të gënjeshtrave e paragjykimeve të pabaza – prapaseprapë nuk do të kenë mundësi ta shuajnë atë Dritë, ngase All-llahu ka garantuar perfeksionim të saj dhe ai perfeksionim, dashtë Ai, do të bëhet përmes “të huajve”!
Për në fund, e lusim All-llahun e Madhëruar që të gjthë neve të na forcojë bindjen duke qenë si “të huaj”! E lusim, gjithashtu, Atë që fëmijëve tanë t’u dhurojë dashuri ndaj “të huajve”! E lusim Atë edhe t’i udhëzojë bijtë dhe bijat tona të cilat janë zhveshur, të cilët e shesin drogën, e madje disa edhe e konsumojnë, të cilët në këto momente janë nëpër kafene të ndryshme! E lusim, pra, Atë që të gjithë muslimanët e humbur ta rigjejnë rrugën e tyre në të cilën kanë qenë edhe atë jo për nesër mbrëma, por qysh nesër në mëngjes të vijnë në xhami e të falen këtu me “të huajt”! Ngase, kur muslimanët e Palestinës, Afganistanit dhe të gjitha vendeve tjera vijnë këtu për ta adhuruar All-llahun e Lartësuar – atëherë Drita e Tij plotësisht do të jetë e ndezur!
O muslimanë të nderuar, mos e kërkoni shpërblimin e “të huajve” nëse nuk veproni si ata!!!
përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI 01.12.2007
Wednesday, November 28, 2007
GRATË VS POLITIKA
Në Islam, çështja rreth lirisë së femrës dhe participimit të saj në politikë zakonisht krahasohet me kulturën perëndimore. Gjykimin që e jep Islami, pra, lidhur me këtë çështje është i prerë, duke pohuar se edhe femrat i kanë të drejtat e njësojta si të meshkujve, qoftë në aspektin e veprimit të lirë, qoftë në edukim të mirëfilltë, qoftë në të drejtën për të qenë të trajnuara për gjëra të domosdoshme e të nevojshme si dhe për të qenë pjesë aktive në punët politike.
Një pikëpamje e këtillë asnjëherë më parë nuk ka qenë e pranishme në asnjë religjion e as në asnjë shkollë filozofike. Gjatë historisë njerëzore, kemi shumë raste që dëshmojnë se femrat kryesisht nuk janë konsideruar si duhet. Në civilizimet e vjetra, në përjashtim të civilizimit të Egjiptit antik, femra nuk trajtohej si qenie njerëzore, po si spurdhjake e si krijesë e pavlefshme. Pra, në esencë, është paturpësi të vësh krahasim mes të drejtave të femrave në Islam dhe të drejtave të atyre në kulturën perëndimore, ngaqë, do të thotë, dihet fort mirë se sa janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Pejgamberi alejhi selam thoshte se dituria është e obligueshme për të gjithë besimtarët, prandaj, diferencimi i meshkujve nga femrat e shtrëmbëron qëndrimin e asaj që e ka potencuar i dërguari i të Lartësuarit.
Një vështrim i shkurtër rreth statusit të grave në shoqëritë moderne tregon se një numër i madh i grave që nuk punojnë (punë publike) janë financiarisht të varura nga bashkëshortët e tyre, përkundër të cilave, ato që punojnë kanë fitime më të vogla në krahasim me meshkujt dhe se nuk janë “të suksesshme” sa duhet për të arritur pozita qeverisëse, e arsyet për këto janë se ata bazohen në dallimet gjinore. Në fakt, burimi i një diskriminimi të tillë është nga supozimi i meshkujve të cilët pretendojnë se femrat kanë natyrë të atillë që duhet t’i kryejnë vetëm punët e shtëpisë dhe t’i rrisin fëmijët si dhe vetëm duhet të jenë burim ngrohtësie brenda shtëpisë, ndonëse gratë kanë edhe kompetenca të tjera, të cilat zakonisht injorohen nga burrat (e tyre). Perëndimorët e llogarisin femrën si bashkëshorte, si nënë e si qenie emocionale dhe kështu i përcaktojnë asaj detyra të cilat kërkojnë privilegje të tilla, kurse mësimet islame, duke qenë në pajtim me pastërtinë lindore të njerëzve, synojnë ta ruajnë identitetin e një qenieje duke e urdhëruar atë për t’i zhvilluar edhe aftësitë fizike e edhe ato shpirtërore dhe duke i përzier të dyjat. Njw qëndrimi i këtillë do të ishte qetësia dhe dollia mendore për tërë shoqërinë. Përndryshe, nëse aplikohet ndonjë metodë tjetër e ndryshme nga ajo e Islamit, shoqëria nuk do të kishte qenë e aftë të përfitojë nga potencialet e larta njerëzore dhe si e tillë ajo do të ishte konsideruar si shoqëri e pasuksesshme. Për ta argumentuar qëndrimin islam lidhur me këtë çështje, referohemi tek Libri i All-llahut të Lartësuar, në të cilin thuhet: “Kush bën një vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t'i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t'ia japim shpërblimin më të mirë për veprat e tij” (Kur’an, 16: 97).
Në vijim, duhet të bëhet e ditur esenca e participimit politik. Ai, në fakt, i referohet të drejtës së njerëzve që në mënyrë të lirë ta përcaktojnë formën e qeverisë, t’i përpilojnë politikat e saj (qeverisë), t’i formojnë normat legjislative, të shprehin mendime, t’i reflektojnë kërkesat e tyre të ligjshme dhe t’i japin fund injorancës, izolimit dhe mospërfilljes.
Bërja e marrëveshjes dhe përgatitja për unitet të atillë të mendimit në shoqëri është pasojë e performancës së mirë të autoriteteve ekzekutive, të cilët do të reflektohen përmes përforcimit të kuptimit të participimit e përmes heqjes së pengesave ilegale dhe në këtë mënyrë të vazhdimësisë së jetës sociale. Të dhënat nga statistikat nuk janë argumente plotësisht të mjaftueshme e të sakta për ta pasqyruar të vërtetën e participimit politik të grave siç u cek më lart. Në fakt, nga ato të dhëna mësojmë se gratë kanë qenë të kyçura më pak në aktivitetet politike në krahasim me burrat dhe se shumica prej tyre, edhepse mund të shkaktojë çudi, kishin arsimim të lartë dhe ishin të pasura.
Aktiviteti politik nuk u ndihmon grave që absolutisht t’i mësojnë apo t’i marrin tiparet mashkullore dhe nuk është korrekte të thuhet se natyra e femrës është kontradiktore me politikën. Thënë realisht, ky formulim është bërë nga meshkujt për arsye se ata preferojnë monopolizëm. Veç kësaj, qëndrimi i grave larg politikës dhe të qenët të painteresuara lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me të (politikën), gjithashtu kanë kontribuar në këtë pikëpamje, megjithëse ky qëndrim doemos ka qenë rezultat ndikimor nga faktorë të panjohur. Aktiviteti politik, pra, si domosdoshmëri sociale e përmirëson perceptimin real te njerëzit ndaj gjallërisë lidhur me politikën si dhe aftëson për njohuri politike dhe për mendim të pavarur. Prandaj, përvojat e pasuksesshme të zhvillimit të shteteve e shoqërive janë rezultat i bindjes së gabuar rreth çështjes së gjinisë. Historia tregon se participimi i parë politik i grave është bërë në shek. VII, gjegjësisht, në kohën e ardhjes së Islamit në gadishullin Arabik kur gratë sëbashku me burrat dhanë zotim para Pejgamberit alejhi selam dhe si të tilla ato u njohën si participuese politike të shoqërisë së asaj kohe. Të tilla njihen Fatimja, Zejnebja si dhe shumë gra të tjera (All-llahu qoftë i kënaqur nga të gjithë ato!).
Gra të tilla, pra, në mënyrë aktive kanë participuar në menaxhimin e fushave të ndryshme sociale dhe në atë kohë, përderisa ende kishte aromë të mendimit se femra duhet varrosur ngaqë ajo konsiderohej si qenie e dëmshme e e padëshirueshme, femrave muslimane u jepeshin të drejtat për t’u konsideruar edhe ato si qenie njerëzore sikur meshkujt. Ndër shtetet islame, Kirgizstani ishte i pari që ua garantoi grave të drejtën për votë në vitin 1918.
Fatkeqsisht, pas përhapjes së modelit perëndimor dhe mbizotërimit të kulturës për lakuriqësi duke shkaktuar rënie morale, gjegjësisht pas shek. XIX, natyra e participimeve të këtilla ka ndërruar duke ua marrë grave të drejtat e tyre, të cilat iu ishin dhënë gjatë shtrirjes së brigjeve të Islamit. Rrjedhimisht, me këtë zhvillim, instiktet e femrave u nxitën për zbukurimin e vetvetes së tyre, si pasojë e investimit ideologjik të tyre me qëndrim se femrat duhet ta përcjellin modën. Realisht, kjo u arrit duke i afruar ato kah vetja, gjegjësisht duke simuluar se po bëheshin pjesë e problemeve e e shqetësimeve të tyre. Efekti i një sjelljeje të atillë ishte një injorim mjaft misterioz i prezencës së tyre në marrjen e vendimeve, edhepse ato fizikisht ishin në vend të ngjarjes në ato procese. Diskriminimi gjinor kundrejt grave më i theksuar ishte në participimin e tyre në fushëveprimet shoqërore dhe pikëpamjet e tyre (grave) nuk u përfillën e as që u krahasuan me potencialin mashkullor.
Pozitat administruese në mënyrë ekskluzive u përkisnin vetëm meshkujve dhe në këtë mënyrë gratë detyroheshin të qëndronin larg politikës përkundër ekzistencës së barazisë politike dhe përkundër participimit aktiv të tyre në kampanjat zgjedhore. Kufizime e zhgënjime të këtilla janë shkaktuar në faktorë kulturorë, ekonomikë etj.
Aftësitë e femrave janë dëmtuar nga përjegjësitë e tyre për punët e familjes e shtëpisë, nënshtrimi i tyre ndaj roleve tradicionale nën tekat e organizatave religjioze, trajnime të ndryshme të bëra nga meshkujt etj. Miratimi i traditave politike e shoqërore, gradualisht i izoloi gratë vetëm kah okupimet rreth punëve të shtëpisë, edhepse morën pjesë në dhënien e votës, ato treguan preferencë për ato grupe shoqërore që rrënjosnin dinjitet dhe e ruanin kuptimin e vërtetë të qenies njerëzore.
Pas luftës së parë botërore, grave iu dha barazia politike dhe, për së pari herë, e drejta për votë e, veç tjerash kishin të drejtën për t’u kyçur në parti politike dhe rrjedhimisht për t’u bërë edhe pjesë e parlamentit. Për 25 vite që nga ajo datë, gratë morën përkrahje financiare e pozita të mira administruese si dhe përqindja e pjesëmarrjes së tyre në politikë arrinte deri në 15%.
Gjatë Konferencës IV Globale të Kombeve të Bashkuara që u mbajt në vitin 1955 në Peking, ishte marrë qëndrimi vijues: “Gjysma e botës, gjysma e fuqisë” me qëllim të dhënies mundësi grave për participim më aktiv në proceset vendim-marrëse. Ky vendim bënte të ditur se përparimi dhe paqja botërore janë të pamundshme pa participimin e grave në fushëveprimet e ndryshme shoqërore. Prandaj, gratë duhet të ndihmohen me qëllim të plotësimit të tërësisë së qëllimit të këtij qëndrimi, e kjo arrihet përmes konsiderimit dhe zbatimit të vlerave humano-shoqërore.
përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI 28.11.2007
Wednesday, November 14, 2007
FATIMJA (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!)
(Ligjëratë e mbajtur nga Amër Halid)
Bijtë e Pejgamberit s.a.v.s. të gjithë ishin shtatë. Prej tyre, djem ishin Kasimi, Abdullahu, Tahiri (Tajjibi), ndërsa vajza ishin Zejnebja, Rukija, ummu Kulthumi dhe Fatimja (Allahu qoftë i kënaqur nga të gjithë!).
Fatimja (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) ishte e bija e Pejgamberit alejhi selam dhe e Hatixhes (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!). Ajo ishte bashkëshortja e Aliut (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) dhe nëna e Hasanit dhe Husejnit (All-llahu qoftë i kënaqur prej tyre!). Ajo u lind 5 vite para pejgamberllëkut të Muhammedit alejhi selam, gjegjësisht kur ai ishte 35 vjeç. Në të njëjtin vit ishte bërë edhe ndërtimi i Qabes. Ajo u bë muslimane që në moshën 5 vjeçare, faktikisht kur Pejgamberit alejhi selam i filloi Shpallja. Fatimja (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) ishte besimtarja më e re në Islam!
Fjala “Fatime” rrjedh nga fjala arabe “fitam” që do të thotë se personi është i ruajtuar nga e keqja dhe nga karakteri i keq. Ndër të tjerash, ajo kishte disa nofka që i mori nga as-habët (All-llahu qoftë i kënaqur prej tyre!) dhe më vonë edhe prej dijetarëve. Është për t’u veçuar nofka “Zahra”. Kjo ngase ajo kishte dashuri dhe dhembshuri të madhe ndaj Pejgamberit alejhi selam. Për më tepër, ajo i ngjante shumë Pejgamberit alejhi selam. Kishte lëkurë të bardhë me faqe të kuqe.
Nofka tjetër ishte “Batuul”. Kjo fjalë ka lidhshmëri me nofkën e Merjemes (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!). Është kështu pasi adhurimi i Fatimes (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) ishte i ngjajshëm me adhurimin e Merjemes (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!). Përveç kësaj, ajo kishte modesti mu si Merjemja. Vlen të ceket që këtu hadithi i Pejgamberit alejhi selam në të cilin ai ka potencuar se: “Fatimja është zonja e grave të Xhennetit pas Merjemes”.
Them që Fatimen (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) duhet ta duam, pasi edhe Pejgamberi alejhi selam kishte dashuri të madhe ndaj saj. Ai (alejhi selam) në një rast pat thënë: “Fatimja është nga unë! Ai që e mërzit atë, më ka mërzitur mua”. Njëashtu Resulullahu alejhi selam ka thënë: “Kush më do mua, Fatimen, Hasanin dhe Husejnin; në Ditën e Gjykimit vjen dhe na bashkangjitet neve për të ngrënë e për të pirë, përderisa të tjerët e japin llogarinë” (Transmeton Taberani). Pejgamberi alejhi selam ka thënë edhe një hadith tjetër për ta shprehur dashurinë ndaj bijes së tij. Në atë hadith ai, në fakt, i përshkruan njerëzit në Ditën e Gjykimit duke thënë se ata kërkojnë dikë për të ndërmjetësuar tek All-llahu i Lartësuar. Pejgamberi alejhi selam, konkretisht thoshte: “Në atë Ditë, të gjithë pejgamberët do të thonë: “Vetvetja, vetvetja” përveç meje! Unë do të them “O Zoti, ummeti im, ummeti im! O Zot unë nuk Të kërkoj për vete e as për bijën time – Fatimen”.
Secilën herë kur Fatimja (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) hynte në dhomën e Pejgamberit alejhi selam, ai do të ngritej dhe do ta puthte në ballë! Madje edhe kur i Dashuri i All-llahut alejhi selam ishte i sëmurë, në fakt kur iu pat afruar vdekja, i kërkonte falje se nuk mundeshte të ngritej për ta puthur në ballë! Subhanallah! Në aso momente ndonjë prindi tjetër madje as nuk i shkon ndërmend t’i përshëndesë fëmijët e vet, e lëre më t’i puthë apo t’u kërkojë ndjesë se nuk ka mundësi ta bëjë atë gjë. A po vëreni se çfarë dhembshurie, çfarë butësie dhe çfarë ëmbëlsie ka pasur Pejgamberi alejhi selam?
Nëse Pejgamberi alejhi selam do të shkonte në ndonjë udhëtim dhe kur kthehej në Medine, punën e parë që e bënte ishte falja e dy rekateve në xhami dhe pastaj patjetër do t’ia bënte një vizitë Fatimes (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!). E nëse e lëshonte Medinen, puna e fundit që e bënte ishte shkuarja tek ajo për vizitë. Nga kjo, me të vërtetë, mund të konkludohet se ajo ka qenë shumë e rëndësishme tek Pejgamberi alejhi selam.
Në mes gjithë kësaj dashurie, Pejgamberi alejhi selam nuk ishte i njëanshëm në sjelljen ndaj saj. Ai në një rast [kur patën shkuar tek ai për të ndërmjetësuar për një njeri, i cili kishte vjedhur diçka (sh.p.)] pat thënë: “Pasha All-llahun! Në qoftë se edhe Fatimja – bija e Muhammedit të kishte vjedhur diçka, vetë Muhammedi do t’ia kishte prerë dorën!”. Shumë prindër i duan fëmijët e tyre, kështuqë i ndalin shtypjet për shkak të saj (dashurisë) dhe në këtë mënyrë, me vetëiniciativë i shkatërrojnë fëmijët e tyre. E Pejgamberi alejhi selam dinte “t’i mbajë me një thes edhe dashurinë, edhe drejtësinë”!
Një prej arsyeve pse Fatimja (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) është zonja e grave të Xhennetit pas Merjemes (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) është se ajo është fryt i Pejgamberit alejhi selam, njëherit, pra, edhe i ngjasonte atij shumë. Ajshja (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) një herë ka thënë: “Me të vërtetë asnjëherë nuk kam parë dikënd t’i ngjasojë më shumë Pejgamberit alejhi selam në marrëdhënie me njerëzit sesa Fatimja!”. Ajo gjithashtu thoshte: “Asnjëherë nuk kam parë njeri më të çiltër dhe më modest se Fatimja, në përjashtim të Pejgamberit alejhi selam!”.
Fatimja (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) ishte mjaft e pjekur. Kur kishte 18 vjeç, Pejgamberi alejhi selam ishte i martuar me 9 gra. Ajo asnjëherë nuk e përgojoi asnjërën prej tyre e as që tha ndonjë të pahijshme për ta ose kundrejt tyre.
Durimi ishte pjesë e pandarë e Fatimes (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!). Gjatë jetës së saj kishte kaluar nëpër shumë sprova. Nëna i kishte vdekur kur kishte vetëm 10 vjet. E shihte shpeshherë babain e vet duke qenë i goditur dhe i lënduar. I vdiqën tri motra e më pastaj edhe të gjithë vëllezërit. Bashkëshorti i saj – Aliu (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) ishte i varfër dhe kishte raste që as bukë nuk kishin për të ngrënë! Ne kur dëgjojmë për vdekjen e Pejgamberit alejhi selam na rrënqethet trupi, po vallë si ishte gjendja emocionale e Fatimes në ato momente?
Fatimja (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) ishte njëra ndër ata që e përcollën Pejgamberin alejhi selam prej fillimit të Shpalljes e derisa ndërroi jetë. Përveç saj, i tillë ishte edhe ebu Bekri (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!). Këta, pra, ishin dëshmitarë të gjëllimit të të gjitha ngjarjeve që ndodhnin (rreth Islamit dhe Pejgamberit alejhi selam) dhe gjithashtu ishin pjesëtarë të vuajtjeve që prej fillimit e deri në fund. E, si pasojë, ata kanë arritur deri në atë gradë sa kanë qenë.
Vlen të ceket edhe jeta e saj në Mekë përderisa ishte ende e mitur. Qëkur kishte 5 vjet, po edhe më vonë, ajo kishte shprehi ta shikonte të atin duke hyrë në shpella. Hatixhja (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) i dërgonte Resulullahut a.s. ushqim e nganjëherë Fatimja (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) donte t’i “ndihmojë” nënës së vet, pra, ajo ia dërgonte ushqimin Pejgamberit alejhi selam. Kur Xhibrili a.s. iu kishte shfaqur Pejgamberit alejhi selam në shpellën Hira, atë e patën kapur ethet dhe pat ardhur në shtëpi me vrap dhe Hatixhes i tha: “Më mbulo, më mbulo!”. Fatimja (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) në një farë mënyrë e kishte kuptuar se All-llahu e kishte zgjedhur babain e saj si të dërguar për këtë popull. Më pas, kur Pejgamberit alejhi selam i kishte ardhur urdhëri për të thirrur në fe, ai e kishte mbledhur familjen e tij dhe u kishte thënë: “O benu Hashim, shpëtojeni vetveten tuaj nga Zjarri! O benu AbdulMutalib, shpëtojeni vetveten tuaj nga Zjarri! O Abbas – o mixha i të dërguarit të All-llahut, shpëtoje veten tënde nga Zjarri! Oj Safije – oj halla e të dërguarit të All-llahut, shpëtoje veten tënde nga Zjarri! Oj Fatime – oj bija e të dërguarit të All-llahut, shpëtoje veten tënde nga Zjarri!”. Fatimja (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) aso kohe ishte vetëm 5 vjeçare, megjithatë që atëherë kishte shprehur dëshirë për të qenë muslimane dhe për t’i ndihmuar të atit, e jo vetëm thjesht për të qenë e bija e tij! Ajo e kishte zakon që ta shoqërojë Pejgamberin alejhi selam çdokund që ai shkonte dhe eventualisht ta ndihmojë nëse ai kishte ndonjë nevojë, apo madje edhe ta mbrojë nga ndonjë lëndim që i dërguari i All-llahut mund ta pësonte. Për këtë shkak, pra, shpeshherë kur e lexojmë jetëpërshkrimin e Pejgamberit alejhi selam e gjejmë emrin e Fatimes (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) si mbrojtëse dhe si shoqëruese në raste kur kishte rrezik. Fatimja (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) Nuk e kishte zakon që të lozë me vajzat tjera, por e kishte obliguar veten që të qëndrojë pranë të atit të vet dhe të shikojë mos ai kishte nevojë për të apo për diçka tjetër. Ndërkaq, ne sot jemi dëshmitarë se shumë bija e motra tona synim primar e kanë që të bëhen sa më tërheqëse për djemt tjerë, synojnë për të pasur grimin më të mirë, e përveç kësaj, u prishet qejfi shumë nëse nuk e blejnë llojin më të ri të pantallonave etj. Ne, pra, të gjithë duhet të ndjejmë se kemi përgjegjësi për këtë fe! Kjo fe nuk është shpallur vetëm për Pejgamberin alejhi selam, as vetëm për as-habët e tij e as veç për Fatimen (All-llahu qoftë i kënaqur me të gjithë ta!)!
Kishte shumë raste kur e shihte të atin duke e lëndur kafirat. Një prej tyre ishte Ukbe ibën ebi Muajti, i cili erdhi përderisa Pejgamberi alejsi selam ishte në sexhde duke u falë, e ai ia hodhi zorrët e një kafshe të ngordhur në shpinën e tij të ndershme. Pejgamberi alejhi selam qëndroi në këtë gjendje përderisa erdhi Fatimja (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) dhe ia hoqi atë fëlliqësirë prej trupit të tij përderisa sytë i kishte të mbushur me lotë. Kur Pejgamberi alejhi selam e pa se po qante i tha: “Mos qaj oj bija se me të vërtetë All-llahu do ta bëjë fitimtar babain tënd!”. Fatmija (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) qe dëshmitare kur të dy prindërit i kishte të izoluar dhe në atë kohë ushqim tjetër nuk kishin përveç gjetheve. Pasi përfundoi ky bojkot që e kishin organizuar kafirat, gjegjësisht 2-3 muaj më vonë, vdiq Hatixhja (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!). Është për t’u habitur se Fatimja (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) atëbotë kishte thënë: “Pasha All-llahun unë vetëm do të them: Të All-llahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi! O All-llah, më shpërble ngaqë e humba të ëmën! O All-llah, nuk e di se a duhet të jem e mërzitur për vdekjen e nënës sime apo të jem e gëzuar duke pasur parasysh se asaj i janë dhënë lajme të kënaqshme për në Xhennet!”. Nw fakt, pak çaste para vdekjes së Hatixhes (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) erdhi Xhibrili a.s. dhe tha: “O Muhammed, përgëzoje Hatixhen me një vend në Xhennet dhe tregoji se All-llahu i Lartësuar po i dërgon asaj Selam!”.
Pas vdekjes së Hatixhes (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!), vdiq edhe xhaxhai i Pejgamberit alejhi selam, kështuqë kafirat e shfrytëzuan rastin që ta persekutojnë Pejgamberin alejhi selam edhe më shumë. Një ditë iu kishin mbledhur 10 veta përreth dhe filluan ta godasin atë, derisa erdhi Fatimja (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) dhe tha: “All-llahu ju shkatërroftë! A po e persekutoni babain tim për shkak se vdiq nëna ime dhe xhaxhai i tij? Pasha All-llahun do t’ju gjuaj me këta gurë” dhe i gjuajti. Pejgamberi alejhi selam më pas i tha: “Qetësohu oj bija ime, ngase me të vërtetë All-llahu do ta bëjë fitimtar babain tënd!”.
Kurdoherë që ndonjëra nga gratë e Pejgamberit alejhi selam kishte nevojë për ndonjë gjë, i thonin Fatimes: “Tregoji Pejgamberit se na duhet kjo gjë!”.
Pejgamberi alejhi selam migroi në Medine para saj, sepse po ta lejonte atë të shkojë para tij, kurejshët do ta hetonin se ata po migrojnë dhe do të shkaktohej pakënaqësi për muslimanët në përgjithësi, e veçanërisht për Pejgamberin alejhi selam dhe bijen e tij. Kështuqë ajo migroi në Medine pas pejgamberit alejhi selam. Kur u stabilizuan punët, njerëzit filluan të vijnë te i dërguari i All-llahut për ta kërkuar dorën e Fatimes (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!). Të gjithë donin të miqasoheshin familjarisht me Pejgamberin alejhi selam. Prej tyre ishin: ebu Bekri, pastaj Omer ibën el-Hatabi, pastaj Abdurrahman ibën Awfi (All-llahu qoftë i kënaqur me të gjithë këta!), mirëpo Pejgamberi alejhi selam u jepte përgjigje negative në mënyrë të sjellshme. Më tej, ensarët filluan ta nxisin Aliun (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) për ta kërkuar dorën e Fatimes (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!). Aliu (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) thoshte se nuk kam shumë të holla (kapital) për ta kërkuar atë, mirëpo ata, sikur ta kishin ditur se Pejgamberi alejhi selam do ta pranonte Aliun, i thoshin: “...por Pejgamberi alejhi selam të admiron ty!”. Më pas, Aliu (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) shkoi te Pejgamberi alejhi selam dhe qëndroi para tij duke mos thënë asgjë. Pejgamberi alejhi selam i tha: “Mos vallë ke ardhur për ta kërkuar dorën e Fatimes?”, e ky ia ktheu: “Po, pikërisht për atë”. Pejgamberi alejhi selam i tha: “A ke diçka për t’u martuar me të?”, ndërsa ky ia ktheu: “Jo o i dërguari i All-llahut”. Më pas, Pejgamberi alejhi selam i tha: “A nuk ke asnjë dirhem prej asaj sasie që ta pata dhënë dikur?”, ndërsa Aliu (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) ia ktheu: “Po, por nuk janë më shumë se 250 dirhem”. Më në fund Pejgamberi alejhi selam i tha: “Do të të lejoj të martohesh me të o Ali!”. Më pastaj, Aliu (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) shkoi dhe ia solli atë shumë të hollash Pejgamberit alejhi selam, ndërsa ky i fundit e thirri Bilallin (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) dhe i tha: “O Bilall, shko blej ca parfum për Fatimen me këtë pjesë të këtyre të hollave!”. Pjesën tjetër të të hollave ia dha ummu Selemes (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) dhe i tha: “Blej disa rrobe për Fatimen me këto të holla dhe gjëra të tjera të nevojshme të nusërisë!”. A po e vëreni, pra, si interesohej Pejgamberi alejhi selam për bijën e tij? Sidoqoftë, Aliu (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) erdhi pas një dite ose dy tek Pejgamber alejhi selam dhe i tha: “O i dërguari i All-llahut, unë e pagova mehrin për Fatimen, e kur do ta marr atë?” dhe pas kësaj që tha, në një farë mënyre u turpërua... Pejgamberi alejhi selam iu përgjigj: “Sot o Ali, nëse do sot martohu me të!”, ndërsa Aliu (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) tha: “Po o i dërguari i All-llahut, qysh sot do të martohem!”. Kështuqë, i ftuan njerëzit dhe therrën një kafshë. I dërguari i All-llahut në këtë rast u shpreh: “Nëse dikush që e kërkon dikë për grua (apo për burrë) dhe ajo (ai) është i kënaqur prej fesë dhe karakterit të tij (saj), atëherë le të martohet me të, përndryshe, do të përhapet fitneja në tokë!”. Njëmend, kjo që po ndodh në vendet tona është realizim i vërejtjes së Pejgamberi alejhi selam, të cilën e tha shekuj më parë. Sidoqoftë, Fatimja (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) e rregulloi pajën e saj të nusërisë dhe u ngjit në deve të cilën e drejtonte Othmani (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) dhe përreth ishin as-habët të cilët kishin shpata në dorë dhe i kishin ngritur lart në shenjë kremtimi. Mandej, Aliu dhe Fatmija (All-llahu qoftë i kënaqur nga të dytë!) hynën në shtëpnë e tyre të thjeshtë e cila ishte larg qendrës së Medines, ngase aq kishte pasur mundësi Aliu (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!). Mirëpo, pak para se të hynin, Pejgamberi alejhi selam i tha Aliut: “Mos iu afro para se të hyj unë!”. “Sidoqoftë” – thoshte Aliu (All-llahu qoftë i kënaqur prejk tij!) – “unë u ula në një anë të dhomës dhe ajo u ul në anën tjetër. Më pastaj, erdhi Pejgamberi alejhi selam, e vendosi dorën time mbi dorën e Fatimes dhe filloi të bëjë një dua në të cilën thoshte: “O All-llah, Fatimja është pjesë imja! O All-llah, Fatmija është e dashur për zemrën time! O All-llah, Aliu është vëllai im dhe ai është shumë i dashur për mua! O All-llah, jepu këtyre nga begatitë Tua dhe bashkoji me të mirë! Më pastaj, më tha mua: “O Ali, vendose dorën tënde në ballin e Fatimes dhe thuaj: O All-llah, unë të thërras për të mirën e saj dhe për të mirën që është krijuar për ne dhe kërkoj që të më mbrosh prej së keqes së saj dhe prej së keqes që është krijuar për ne! Më pastaj, m’u drejtua mua dhe më tha: “O Ali, All-llahu ju dhashtë nga begatitë e Tij!” dhe u ngrit për të dalë, por para se të dalë u kthye kah ne dhe na tha: “Do të kishte qenë e udhës që ju të dy t’i kishit falë 2 rekate namaz!” dhe e mbylli derën. Kështu qe fillimi i martesës së tyre.
Çështje problematike ishte se shtëpia e Fatimes dhe Aliut (All-llahu qoftë i kënaqur prej tyre!) ishte larg prej shtëpisë së Pejgamberit alejhi selam. Pejgamberi alejhi selam shumicën e shtëpive i kishte dhuratë nga Harith ibën Nu’mani (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!), përkatësisht, thuajse secilën herë që Pejgamberi alejhi selam martohej me ndonjë prej grave të tij, Harith ibën Nu’mani (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) ia jepte një pjesë tokë si dhuratë. Ndërkaq, në martesën e Fatimes (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) Pejgamberit alejhi selam i erdhi shumë turp që t’i kërkonte edhe pak tokë, kështuqë u vendos që ajo të jetojë larg prej qendrës së Medines. Kur Harith ibën Nu’mani (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) dëgjoi këtë (se Fatimja po jetonte larg Pejgamberit alejhi selam), tha: “O i dërguari i All-llahut, a nuk po të mungon Fatimja?”, Pejgamberi alejhi selam ia ktheu: “Po, por shumë u turpërova që të kërkoj edhe një pjesë tokë tjetër nga ti, ngase na ke dhënë shumë”. Me të dëgjuar këtë Harithi, tha: “Pasha All-llahun, toka që ta kam dhënë është më e dashur për mua sesa toka që e kam tani, kështuqë merre edhe këtë pjesë tokë për Fatimen!”. Pejgamberi alejhi selam i tha: “All-llahu ta ka dhënë një pallat në Xhennet në këmbim të kësaj!”.
Aliu (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) ishte i varfër dhe ata që të dy ishin të lodhur nga punët e tyre shtëpiake. Një ditë të dy filluan t’i diskutojnë ankesat e tyre dhe më në fund Aliu i tha Fatimes (All-llahu qoftë i kënaqur nga të dytë!) të shkojë e të kërkojë ndonjë rob ngase kishin kuptuar se Pejgamberi alejhi selam kishte disa robër. Kështuqë, Fatimja (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) shkoi te Pejgamberi alejhi selam dhe i kërkoi një rob, kurse Pejgamberi alejhi selam i dha përgjigje negative duke i thënë se ata robër ishin të destinuar për ata muslimanë që ishin më të varfër se ata, kështuqë Fatimja (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) u kthye në shtëpi dorëthatë. Pak më vonë, vërejtën se Pejgamberi alejhi selam ishte drejtuar për tek shtëpia e tyre. Aliu (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) u zgjua për t’ia hapur derën Pejgamberit alejhi selam përderisa Fatimja ishte e shtrirë në krevatin e saj ngase kishte sëmundje nga punët. Me të hyrë Pejgamberi alejhi selam, ajo tentoi të ngrihej, mirëpo Pejgamberi alejhi selam i tha: “Rri ashtu si je!”. Ai erdhi dhe u ul mes tyre dhe u tha: “A t’ju udhëzoj për diçka që do të jetë më e dobishme për ju sesa që t’ju kisha dhënë një rob?; para se të shkoni për të fjetur, thoni 33 herë subhanAllah, 33 herë elhamdulilah dhe 34 herë All-llahu Ekber dhe kjo do t’ju mjaftojë!”. Aliu (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) thoshte: “Pasha All-llahun, pasi i thonim ato, u forcuam dhe nuk kishim më nevojë për robër!”.
Njëherë kur Pejgamberi alejhi selam e pa fytyrën e Fatimes (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) të zverdhur prej urisë, tha: “O All-llah! O Largues i urisë, mos e lë Fatimes të uritur!”. Njëherë tjetër kur Pjgamberi alejhi selam kishte shkuar për vizitë, e kishte gjetur Fatimen (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) vetëm dhe e kishte pyetur për Aliun (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) e ajo i kishte thënë se ai ishte përlarë me të dhe kishte dalë nga shtëpia. Më pas, e kishte gjetur atë në xhami duke fjetur dhe ishte mbuluar me pluhur. Në atë rast Pejgamberi alejhi selam e kishte zgjuar dhe e pastronte nga pluhuri duke i thënë: “Zgjohu o baba i pluhurit!” dhe nuk kishte pyetur për shkakun e zënkës, por i kishte thënë: “O Ali, eja të shkojmë bashkë në shtëpinë tënde!”. Megjithatë, edhe krahas zënkave të tyre (të cilat nuk ishin të shumta), e përkundër varfërisë së madhe, Pejgamberi alejhi selam ka thënë se ka pasur raste kur shkonte për vizitë tek ta dhe e qeshura e tyre dëgjohej prej jashtë!
Në një kohë flitej që Xhuvejrije bint ebu Xhehl të martohet me Aliun (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!). Me të kuptuar Pejgamberi alejhi selam, ishte ngjitur në minber dhe kishte thënë: “Nuk e bëj të lejuarën të ndaluar, e as të ndaluarën të lejuar, porse nuk është mirë që e bija e armikut të All-llahut të jetë me një shtëpi me bijen e të dërguarit të All-llahut!”. Më pas, Aliu (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) i kishte thënë Fatimes: “Oj Fatime, ndoshta je lënduar nga kjo. A mund të ma falësh?”, ndërsa ajo ia ktheu: “Po o Ali, ta kam falë!” dhe problemi ishte zgjidhur.
Kur kishte lindur fëmija i parë – Hasani (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!), Pejgamberi alejhi selam i kishte pyetur për emrin, ndërsa ata i thanë se e kanë emëruar Harb (luftë), e Pejgamberi alejhi selam i kishte thënë: “A do të kishte qenë më mirë ta emëronit Hasan?” dhe ashtu e emëruan. Pastaj edhe me Husejnin kishin dashur ta emërojnë Harb, mirëpo Pejgamberi alejhi selam i kishte thënë ta emërojnë Husejn dhe ashtu kishte mbetur.
Fatimja (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) kishte pasur jetë të vështirë, e veçanërisht periudha e fundit e jetës së saj kishte qenë edhe më e vështirë. Ajo kishte hyrë në shtëpinë e Pejgamberit alejhi selam para se ai të ndërronte jetë dhe ishte ulur pranë tij, kurse Pejgamberi alejhi selam nuk kishte pasur mundësi të ngrihej e ta puthë, siç e kishte zakon. Me t’u ulur, Pejgamberi alejhi selam ia tha: “Afroje veshin tënd më afër oj Fatime!” dhe i pëshpëriti diçka në vesh, kurse ajo filloi të qajë. Më pas, Pejgamberi alejhi selam i tha përsëri ta afrojë veshin dhe i pëshpëriti edhe diçka, por tash Fatimja (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) filloi të qeshë. Pas vdekjes së Pejgamberit alejhi selam, Ajshja e kishte pyetur Fatimen (All-llahu qoftë i kënaqur nga të dyjat) për fjalët që Pejgamberi alejhi selam ia kishte thënë e ajo iu përgjigj: “Herën e parë më tha: “Oj Fatime, unë do të vdes sonte!”, kështuqë unë fillova të qaj, e ai kur më pa në atë gjendje, më tha: “A nuk je e kënaqur se ti do të jesh e para prej familjes sime që do të më bashkangjitesh dhe se ti do të jesh zonja e grave të Xhennetit?” dhe pastaj unë qesha”. Fatimja (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) në momentet e fundit të jetës së Muhammedit alejhi selam ishte e shqetësuar për dhimbjet e babait të vet, ndërsa Pejgamberi alejhi selam i thoshte: “Nuk do të ketë më dhimbje për babain tënd pas kësaj dite!”. Kur vdiq Pejgamberi alejhi selam, ajo ishte shumë e shqetësuar dhe nga mërzia ishte lodhur. Enes ibën Maliku (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) ishte një prej atyre që trupin e Pejgamberit alejhi selam e lëshuan në varr. Ai tregon duke thënë: “Pasi e varrosëm të dërguarin e All-llahut, po kthehesha për në shtëpi dhe e takova Fatimen, e cila qëndronte para meje dhe më tha: “Si munde ta mbulosh fytyrën e të dërguarit të All-llahut me dhé?”, pastaj qau dhe shkoi.
Përfundimisht, Fatimja (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) vdiq 6 muaj pas Pejgamberit alejhi selam, ashtu siç i kishte premtuar ai. Ajo ia la dy emanete Aliut (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!). Emaneti i parë ishte që ai të martohet me Umamen (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!), ngase ajo ishte më shumë e dhënë ndaj Hasanit dhe Husejnit (All-llahu qoftë i kënaqur prej tyre!) dhe emaneti i dytë ishte që ai ta mbulojë mirë ngase nuk kishte dëshirë që njerëzit tjerë të shohin ndonjë pjesë nga trupi i saj dhe ta varroste atë në atë ditë që do të vdiste ngase nuk kishte dëshirë që njerëzit t’i kushtojnë shumë vëmendje vdekjes së saj. Aliu (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) ashtu veproi, do të thotë e varrosi po atë natë që vdiq dhe ajo kishte 29 vite atëbotë. U varros në ditën e martë më 20 Ramazan të vitit 11 hixhrij. Aliu (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) u prek shumë nga vdekja e saj dhe qau shumë. Ai thoshte: “Asnjëherë më parë nuk kam qenë më i lodhur e më i rraskapitur sesa ky gjashtëmuajsh, që nga vdekja e Pejgamberit alejhi selam dhe nga vdekja e Fatimes!”.
përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI 14.11.2007
burimi: http://english.islamway.com/bindex.php?section=article&id=299